Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitën në Sarajevë e ka nisur duke vendosur lule te Memoriali i Fëmijëve të Vrarë gjatë Rrethimit të Sarajevës.
Kurti përmes një postimi në “X” ka përmendur se 1 mijë e 601 fëmijë u vranë nga mizoria e forcave serbe, duke shtuar se kjo figurë tragjike kujton jetët e humbura të pafajshme dhe tmerret e shkaktuara mbi civilë.
“E nisa vizitën time në Sarajevë duke vendosur lule në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës së Rrethuar – një vend i pikëllimit dhe kujtimit të thellë. Gjatë Rrethimit të Sarajevës (1992–1996), 1,601 fëmijë u vranë si pjesë e mizorive më të gjera të kryera gjatë Luftës së Bosnjës nga forcat serbe. Kjo figurë tragjike është përkujtuar këtu, duke na kujtuar jetët e humbura të pafajshme dhe tmerret e shkaktuara mbi civilët”, ka shkruar kryeministri.
Aktulisht, Kurti po ndodhet në një vizitë në Bosnje e Hercegovinë. Ai sot është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë vizitës në Sarajevë, ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq.
“Falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës. Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”, ka shkruar Komshiq në Facebook pas takimit me Kurtin.
Kurti nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.
“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik , sipas raportimit të Srnas.
Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më 5 dhjetor ministrat nga Republika Sërspak thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq.