Kusari: S’ka më asnjë arsyetim të dënohen fëmijët me mungesë mësimi si pasojë e kërkesave të SBASHK-ut

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se fëmijët nuk mund të shfrytëzohen si peng i qëllimeve të sindikatēs, “pasojat e të cilit veprim do t’i vuajnë edhe shumë gjatë"

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur të paarsyeshëm vendimin e SBASHK-ut për vazhdimin e grevës në arsim.

Sipas saj, mësimdhënësit dhe nxënësit, të hënën e 12 shtatorit, duhet të takohen në shkolla.

“Nuk ka më asnjë arsyetim të dënohen fëmijët me mungesë mësimi si pasojë e kërkesave të SBASHK-ut, të cilat për tri vjet radhazi shtyjnë fillimin e vitit të ri shkollor”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Sipas saj, fëmijët nuk mund të shfrytëzohen si peng i qëllimeve të sindikatës, “pasojat e të cilit veprim do t’i vuajnë edhe shumë gjatë”.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), të dielën e 11 shtatorit, pas takimit me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, ka vendosur që të vazhdojnë grevën.

Në një komunikatë për media, kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë.

Sipas njoftimit thuhet se qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

“Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendosë çka tutje”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog të ndodhë, me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.

Lidhur me këtë, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se deri më tani janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave.

Sipas tij, ndonëse ka pasur takime, mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë.

“Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, ka shkruar ai.

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika