Besëlidhja e Lezhës do të zhvillojë një ndeshje miqësore parasezonale kundër Pejës, të shtunën nga ora 17:00, në palestrën “Karagaç”.
Takimi do të transmetohet ekskluzivisht në TV Dukagjini.
Kampionia në fuqi e Shqipërisë cilësohet si një nga klubet më të organizuara në trojet shqiptare, me një staf drejtues dhe teknik që punon me ambicie të mëdha.
Vitet e fundit, skuadra nga Lezha ka arritur suksese të jashtëzakonshme në basketbollin shqiptar.
Vetëm tri vjet pas rikthimit historik në Kategorinë Superiore, Besëlidhja është shpallur dy herë kampione e Shqipërisë dhe një herë ka arritur në finale.
Në sezonin 2022/23, edicionin e parë pas rikthimit, skuadra u ndal në finale nga Tirana, në një seri dramatike të mbyllur 3:2 për kryeqytetasit.
Në dy sezonet e ardhshme, Besëlidhja shkëlqeu duke fituar dy tituj radhazi.
Në sezonin 2023/24, skuadra e mbylli me 27 fitore dhe asnjë humbje, duke mposhtur në finale Teutën 4:0 në seri.
Ndërsa, në edicionin pasues, e njëjta finale u përsërit dhe Besëlidhja triumfoi sërish ndaj Teutës, këtë herë 3:0 në seri.
Me 25 fitore dhe vetëm një humbje, lezhjanët ishin bindshëm skuadra më e mirë në vend.
Sukseset u plotësuan edhe me Kupën e Shqipërisë. Në sezonin 2024/25, Besëlidhja triumfoi në finale kundër Vllaznisë me rezultat 85:73.
Një vit më parë, në sezonin 2023/24, kishte humbur finalen përballë Tiranës, me shifrat 91:74.
Në pankinë që nga nëntori i vitit 2022 është trajneri Afrim Bilali, i cili ka ndërtuar një ekip të fortë dhe fitues.
Besëlidhja ka lënë gjurmë edhe në arenën rajonale.
Në Ligën Unike arriti deri në gjysmëfinale, pasi e mbylli Grupin A në vend të dytë me 10 pikë, duke lënë prapa Bashkimin, që më pas shkoi deri në finalen e “play-off”-it të Superligës së Kosovës.
Në gjysmëfinale, Besëlidhja u mposht nga Prishtina me rezultat 81:67, por u vlerësua lart për paraqitjen dinjitoze kundër skuadrës më të trofeshme në Kosovë.