Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që dekreti i presidentes Vjosa Osmani, i datës 6 mars, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Sipas vendimit, deputetët e Kuvendit kanë 34 ditë kohë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit të ri.
Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedh presidentin brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja.
Gjykata rithekson se afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit para përfundimit të mandatit është detyrues dhe nuk mund të relativizohet.
Për më tepër, interpretimi i afateve kushtetuese sipas nenit 82 dhe nenit 86 të Kushtetutës mbetet i vlefshëm për çdo zgjedhje të ardhshme të presidentit.
Me këtë aktgjykim, vendimi i Gjykatës për masën e përkohshme të 9 marsit 2026 shfuqizohet.
