Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Osmanit për KQZ-në, refuzohet edhe masa e përkohshme

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur më 30 mars 2026 lidhur me rastin KO81/26, të parashtruar nga Presidentja Vjosa Osmani, për sqarimin e çështjes së emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Presidentja kishte kërkuar vlerësim të “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese”, konkretisht ndërmjet saj dhe grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, pasi, sipas kabinetit të saj, dilema kishte lindur për shkak se partitë kishin propozuar më shumë emra sesa parashikon Kushtetuta.

Po ashtu, Osmani kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afateve ligjore që lidhen me fillimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së, i cili nuk ishte emëruar për shkak të paqartësive kushtetuese.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, me vendim unanim, ka shpallur kërkesën të papranueshme, duke theksuar se “TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme”. Njëkohësisht, ajo ka refuzuar edhe kërkesën për masë të përkohshme, duke vendosur se “TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme”.

Në vendimin e saj, Gjykata ka urdhëruar që aktvendimi t’u kumtohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa ka konstatuar se ai hyn në fuqi menjëherë.

Të fundit nga rubrika