Gjykata Kushtetuese ka ndaluar përkohësisht çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit pas skadimit të afatit 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive.
Masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 8 gusht.
“Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës në kuptim të neneve 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend. Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Rrjedhimisht, Gjykata, pa asnjë paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesave KO193/25 dhe KO196/25 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.