Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Zoja Lohaj Konjufca, e cila vjen nga fusha e arsimit, ka prezantuar prioritetet e saj politike, duke theksuar se fokusi i saj kryesor do të jetë përmirësimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor në Kosovë.
Ajo ka bërë të ditur se është profesoreshë e matematikës me përvojë shumëvjeçare në gjimnazin shkencor dhe gjuhësor, si dhe ka punuar edhe në Shkollën Amerikane me nxënës të klasave të 12-ta. Konjufca është e diplomuar edhe në Komunikim Masiv, megjithëse nuk ka ushtruar profesionin e gazetarisë, duke u angazhuar kryesisht në arsim.
“Profili im ka qenë i lidhur me arsimin dhe kjo do të jetë fusha kryesore ku do të punoj si deputete e ardhshme”, ka deklaruar ajo në emisionin “Rreth e Rrotull” në TV Dukagjini.
Duke prezantuar programin e LDK-së, ajo ka theksuar se një nga prioritetet kryesore është vendosja e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat brenda një mandati katërvjeçar, duke përfshirë edhe ushqimin për nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë. Sipas saj, kjo reformë do të ndikojë edhe në lehtësimin e angazhimit të nënave në tregun e punës.
Konjufca ka folur gjithashtu për rritjen e sigurisë në shkolla, luftimin e dhunës mes adoleshentëve dhe bullizmit, si dhe futjen e lëndës së kodimit nga klasa e katërt, me synimin për të përgatitur gjenerata të reja në fushën e teknologjisë.
Ajo ka theksuar rëndësinë e arsimit profesional, duke propozuar që nxënësit të kenë mundësi praktike në biznese gjatë javës shkollore, në mënyrë që pas përfundimit të shkollimit të jenë të përgatitur për tregun e punës.
Në fushën e infrastrukturës shkollore, ajo ka përmendur investime prej 50 milionë eurosh për salla sportive në shkolla, si dhe dy orë edukatë fizike në shkollat me mësim tërëditor.
Sa i përket shëndetësisë, Konjufca ka paralajmëruar projekte të reja, përfshirë ndërtimin e Spitalit të Ri në QKUK, investime prej 100 milionë eurosh në pajisje mjekësore dhe subvencionim të mjekëve në zonat rurale. Ajo ka përmendur gjithashtu edhe një fond prej 150 milionë eurosh për sigurime shëndetësore dhe krijimin e kartelës digjitale shëndetësore.
Në kuadër të reformave shëndetësore, ajo ka përmendur edhe ndërtimin e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, si dhe mbulimin nga shteti të barnave esenciale dhe mbështetje falas për shëndetin mendor.
Në aspektin ekonomik dhe mjedisor, Konjufca ka propozuar nxitjen e përdorimit të veturave elektrike, me TVSH të ulët për blerjen e tyre dhe zero taksa për pajisjet e mbushjes së tyre.
Sipas saj, programi i LDK-së synon reforma gjithëpërfshirëse që ndikojnë në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
“50 milione euro do të bëhen për gjithë ambientin e Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.