Ish-Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se “ndjehet idiot” teksa foli për komunikimet e publikuara me famëkeqin Jeffrey Epstein.
Në një deklaratë për mediat sllovake, Lajçak, tha se nuk i kujtohen diskutimet, por theksoi se kjo nuk e liron nga përgjegjësia.
Teksa mesazhet mes tyre tha se “nuk ishin asgjë tjetër përveçse ego e çmendur mashkullore”, diplomati sllovak shtoi se “u tregua me gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm”.
Në dosjen e publikuar, vërehen shkëmbimet e afërta ndërmjet Lajçak dhe Epstein – që nga bisedat e tyre për “gratë e reja”, “lojërat” dhe “aksionin”, e deri tek ato për politikën.
Në bisedat nga viti 2018, të vënë në dispozicion për publikun, Lajçak mbante komunikim të rregullt dhe merrte këshilla nga Epstein për veprimet e tij politike dhe takimet ndërkombëtare.
Përkundër kësaj, Bashkimi Evropian refuzoi mundësinë e ndonjë ndikimi në dialogun Kosovë-Serbi “të faktorëve të jashtëm” ose “komprometimin” nga përfshirja e Lajçak në skandalin Epstein.
“Kur bëhet fjalë për dialogun, procesi mbetet i pa ndikuar nga këto zhvillime. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga 2011, që është në dorë të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesja e Lartë, dhe në vazhdimësi i mbikëqyrur nga vendet anëtare”, ka thënë zëdhësnja e BE-së, Anita Hipper.
Megjithatë hetimet për “çështjet e sigurisë”, BE-ja ua la autoriteteve tjera.
“Në lidhje me Lajçakun speficikisht, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si këshilltar për siguri kombëtare i kryeministrit Sllovak, gjithashtu shërbimet e tij bien në kompetencë të mandatit të kaluar dhe detyra e tij si Përfaqësues Special përfundoi vitin e kaluar dhe nuk i është vazhduar mandati. Kur bëhet fjalë rrezik sigurie ose kërcënime, këto janë gjithashtu përgjegjësi e autoriteteve kombëtare për t’u trajtuar sepse ato janë përgjegjëse për këtë”, ka shtuar Hipper.
Sllovaku Miroslav Lajçak shërbeu si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, nga Prilli i vitit 2020 deri në fund të Janarit 2025, periudhë në të cilën u arrit Marrëveshja Bazë dhe Shtojca e Ohrit.
Miliona dokumente vazhdojnë të publikohen nga Departamenti i Drejtësisë për të dënuarin për krime seksuale, përfshirë trafikim dhe shfrytëzim të vajzave të mitura.
Jeffrey Epstein, që kishte lidhje të mëdha me botën e politikës e biznesit, u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht 2019 vetëm një muaj pasi u arrestua nën akuza federale derisa autoritetet e cilësuan rastin si vetëvrasje.