Të enjten e 13 tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, takimi është paraparë të fillojë në orën 09:30.
Nuk ka ndonjë komunikatë nëse Kurti e Lajçak do të mbajnë konferencë për media pas takimit.
Ky takim vjen në ditën kur liberalizimi i vizave do të jetë temë diskutimi e grupit punues të Këshillit Evropian.
Komisioni Evropian disa herë ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave.
Madje, këtë e ka potencuar edhe të mërkurën, duke prezantuar raportin për Kosovën, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, BE-ja nga të dyja vendet kërkon që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Po ashtu, në gjetjet kryesore të raportit është kritikuar puna e Kuvendit të Kosovës, duke u vlerësuar për menaxhim të dobët të agjendës legjislative.
Ndryshe, Lajçak për herë të fundit në Kosovë ishte më 15 shtator.
Kryeministri Kurti në takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte ritheksuar se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.
Kurti në takim me Lajçak: Dialogu duhet të përfundojë me njohje