I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pranvera e hershme e vitit 2023 mund të jetë afati për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se propozimi për zgjidhjen përfundimtare është propozim evropian me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës.
“Është produkt i përbashkët, është propozim evropian, me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës. Jemi si ekip, punojmë bashkë, nuk ka konflikt mes nesh. Mund të ketë emra të ndryshëm në letër por ekipi po punon në unitetit, dhe vizita ime në Prishtinë dhe Beograd më 9 shtator i shoqëruar edhe nga zoti Jens Plettner dhe zoti Emmanuel Bonn ishte dëshmia më e mirë e këtij uniteti”, ka thënë Lajcak.
Lajçak tha se synimi është që normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të kryhet deri në fillim të 2024 dhe ajo që nuk bëhet deri në këtë periudhë, tha ai, mund të mos bëhet fare.
“Afatet e fundit, apo ultimatumet asnjëherë nuk funksionojnë, ose funksionojnë kundër jush, por ka diçka si një afat i butë, siç edhe e kemi njoftuar në dokumentin e adoptuar të mërkurën e kaluar, që qëllimi ynë është që t’i informojmë shtetet anëtare për rezultatet e grupit special për normalizim me Kosovën, dhe kapitulli tjetër 35, përditësim për Serbinë dhe të dy këto takime do të mbahen në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, pra mund ta merrni këtë si një afat kohor, ka thënë Lajçak.
Ai gjithashtu ka thënë se çështja e targave është e mbyllur, pasi sipas tij “kriza e targave” është zgjidhur.
Tani për tani çështja e targave është e mbyllur. Është pajtuar, çështjen e kemi adresuar dhe e kemi zgjidhur, si pjesë e bisedave për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo nënkupton se ajo që është planifikuar në muajt e kaluar tani nuk do të vazhdojë. Por natyrisht se çështja do të adresohet së bashku me shumë çështje të tjera që do të adresohen si pjesë e diskutimeve për normalizim”, ka thënë Lajçak në një intervistë për RTV 21.
Lajçak gjithashtu bërë të ditur se një takim i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të ndodhë së shpejti.
“…takimi i ardhshëm do të zhvillohet së shpejti, po e diskutojmë datën, dhe në agjendë do të jetë marrëveshja finale. Por para kësaj unë duhet të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin dhe të diskutojë procesin dhe dokumentet e fundit me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuciq, dhe këtë po planifikoj të bëjë sa më shpejt, javën e ardhshme, ka shtuar ai.