Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për miratimin e buxhetit për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një akt të paprecedent politik dhe institucional.
Sipas LDK-së, ky vendim është marrë nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet, vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron vendimin e sotëm për miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet si një akt të paprecedent politik dhe institucional, një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e fundit të Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike. Kjo sjellje arbitrare, jashtë çdo norme demokratike, përbën uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake.
 
Buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet dhe miratohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim që ka humbur mbështetjen popullore, moralin politik dhe autoritetin institucional. Asnjë qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendime kaq madhore e afatgjata që prekin rëndë stabilitetin financiar dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
 
Çdo tentim për të përdorur buxhetin e shtetit si instrument elektoral është i papranueshëm. Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare dhe asnjë vendim i marrë në këtë fazë nuk mund të ketë legjitimitet demokratik.
 
Këto veprime të Qeverisë në ikje përbëjnë abuzim me pushtetin, shkelje të etikës institucionale dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve.
 
LDK rikujton se mirëqenia sociale dhe rritja e mbështetjes për qytetarët duhet të jenë rezultat i politikave të qëndrueshme, planifikimit afatgjatë dhe qeverisjes së përgjegjshme e jo spektakël populist i orëve të fundit për të mbuluar dështimet.
 
I bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese. Kosova meriton institucione të ndershme, qeverisje me përgjegjësi dhe transparencë, jo improvizime të dëshpëruara dhe keqpërdorim të parasë publike.
 
LDK mbetet e vendosur për të mbrojtur rendin kushtetues, integritetin e institucioneve dhe interesin publik. Ne do të punojmë pa kompromis për rikthimin e besimit qytetar, normalitetit institucional dhe një qeverisjeje dinjitoze e të përgjegjshme në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.