Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka konfirmuar se partia e tij nuk do të mbështesë krijimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, tash me Glauk Konjufcën si mandatar.
Në një deklaratë për Kallxo.com, Haziri u shpreh skeptik për mundësinë që Konjufca të arrijë të formojë një qeveri stabile, duke e konsideruar “pak të besueshme” që ai mund të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare, në rrethana kur as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ia doli ta bëjë këtë.
“Kosova ka hy në një krizë të gjatë dhe Kosova nuk ka më as Kuvend e as Qeveri. Rasti i konstituimit të Kuvendit është në Gjykatë Kushtetuese e jemi në proces të hapur për zgjedhje të përgjithshme. Mandatari i parë, kryeministri në detyrë, nuk arriti me formu Qeveri. Pak e besueshme që zëvendësi i tij mundet si mandatar me ndërtu një Qeveri me formulën e njëjtë, me emrat e njëjtë, me një ndërrim të vetëm, pa bashkëpunim me parti politike, me deputetët e njëjtë.
Mandati i është dhënë nga zonja presidente Vjosa Osmani Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë, nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor e më pastaj edhe sërish në prill”, ka thënë Haziri.
