Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se nesër, më 16 dhjetor, në AMC Hall nga ora 18:00, partia do të prezantojë listën e plotë me 110 kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
“Lista 123, është një listë e njerëzve me integritet, dije dhe përvojë; një ekip i ndërtuar për shtet, jo për propagandë. Një ekip që e di pse garon dhe për kë punon”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes do të prezantohet edhe Programi Politik i LDK-së dhe vizioni i tij për Kosovën, i bazuar në normalitet, zhvillim, drejtësi dhe shpresë reale për secilin qytetar.
“Ju ftoj të jeni pjesë e këtij momenti të rëndësishëm. Të jemi bashkë për Kosovën që duam. Le të zgjedhim shpresën,” ka thënë Abdixhiku.