Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë në detyrë nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur “qeveri të WhatsApp-it”.
Ai ka folur lidhur me skandalin e emërimit të Faruk Mujkës në krye të Ndërmarrjes Publike Ibër Lepenc, ku vendimi është marrë përmes komunikimeve private me Dejona Mihalin dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Në konferencë për media, Mustafa tha se kjo praktikë dërgon një mesazh të qartë tek të rinjtë, vetëm ata që janë militantë të Dejonës kanë mundësi për punësim, ndërsa studentët e dalluar mbeten të papunë.
“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, err e terr. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës së Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i VV-së se si e mbyt shpresën e një të riu që mëson fort, e pastaj dëshpërohet rëndë dhe në fund mbetet i papunë e i pashpresë, vetëm sepse nuk e ka WhatsApp-in e Dejones”, tha Mustafa.
Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, shtoi se vendi po qeveriset sipas parimit të kapjes së shtetit dhe jo të demokracisë.
Ai akuzoi VV-në se përmes grupeve private WhatsApp po merren vendime për ndërmarrjet publike, duke krijuar një “shtet paralel”.
Rukiqi kërkoi nga organet e rendit të fillojnë hetime për këto praktikave, duke theksuar se pozicionimi i militantëve të VV-së në ndërmarrjet publike cenon barazinë në punësim dhe parimin e meritës.