Njëri ndër njerëzit më meritor, më të vjetrit në aktivitete dhe më të rëndësishmit e Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur që ta lë pushtetin. Njëri nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit për më shumë se 20 vjet, me të cilin ishin që nga ditët e para bashkë në protesta e madje edhe i burgosur, u dorëhoq sot nga posti i ministrit.
Aliu, që nuk mbante tash e një kohë asnjë pozitë në Lëvizjen Vetëvendosje, për publikun ka zgjedhur ta tregojë përmes një shkrimi të shkurtër në rrjetet sociale, dhe dorëheqjen e lidhi me emrin e ri të kryetarit të Kuvendit.
“…Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.
Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.” – Liburn Aliu
TV Dukagjini ka tentuar të marr një qëndrim nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ndonëse pretendoi se nuk ka qenë në dijeni, për dallim me të lartpërmendurit, për TV Dukagjini, Hysen Durshimi e ka komentuar dorëheqjen e njeriut që deri sot ka qenë shefi i tij në Ministrinë e Infrastrukturës.
“… Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- Hysen Durmishi – Zv. Ministër i Infrastrukturës.
Pas dorëheqjen se Aliut ndër të paktit përfaqësues të partive që kanë reaguar ka qenë kryetari i Prishtinës. Përmes një shkrimi në “Facebook”, Përparim Rama, e ka vlerësuar bashkëpunimin me Aliun, dorëheqjen e së cilit e vlerëson humbje për institucionet.
Por, Lëvizja Vetëvendosje e edhe vet Albin Kurti ka kohë që janë distancuar nga Liburn Aliu, thuajse që nga fillimi i mandatit Kurti 2, duke u komentuar në forma të ndryshme edhe shkëputja e tyre, ani se jo qartë publikisht.
Ndër të tjera, shpesh është përmendur pasuria e tij, përfshirë dy banesa në një nga lagjet më luksoze të Prishtinës, në vlerë të qindra mijëra eurosh.