Liderë institucional kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Reçak, në 27 vjetorin e kësaj masakre.
Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999, shënoi një pikë kthese në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Nga kompleksi memorial u përsërit kërkesa për drejtësi për një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
“Dhimbja është e freskët për familjet, por është po aq e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.
“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, ka thënë kryeministri ë detyrë, Albin Kurti.
“Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një punë të mirë për intervenimin e saj, por jo edhe për sjelljen e autorëve para drejtësisë. Ne, si institucione, nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, sepse besojmë thellë se pa drejtësi për viktimat e Reçakut dhe gjithandej Kosovës do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të ketë paqe dhe siguri në rajon”, ka thënë krykuvendari në detyrë, Dimal Basha.
Homazhe aty bënë edhe liderë të partive politike të cilët folën edhe për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“falë sakrificës, jetës dhe gjakut të të gjithë këtyre sot por edhe ngjarjeve gjithandej Kosovës ne gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë do të shprehim respektin deri në përulësi për kontributin dhe veprën e tyre”, ka thënë kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
“Në këtë ditë kujtojmë dhe shënojmë jo vetëm këto viktima por edhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe për çlirim”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Përjetësisht mirënjohës Nato-s dhe Amerikës për ndihmën. Ta gëzojmë lirinë. E vërtetë është që nuk është vendosur drejtësia për masakrat në Kosovë, jo vetëm në Reçak por edhe për Mejën dhe shumë të tjera. Po ashtu, është e vërtetë që padrejtësisht vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e UÇK-së dhe jo ata që kanë kryer krimet anë e mbanë e Kosovës dhe është një akuzë që kërkon drejtësi”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
45 civilë shqiptarë u vranë e masakruan më 15 janar të 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.