“Lista Serbe – lak në fytin e serbëve të Kosovës”, Sormaz: Mos e votoni më 12 tetor

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale, dilema kryesore që e mundon komunitetin serb në Kosovë është nëse Lista Serbe është “mbrojtësi i vetëm” i interesave të pakicës serbe apo bëhet fjalë për një organizatë që përfaqëson interesat e strukturave kriminale nga veriu i Kosovës?

Edhe pse që nga themelimi i saj Lista Serbe ka gëzuar mbështetje të hapur nga institucionet shtetërore dhe resurset e Serbisë, serbët në Kosovë kanë pasur rastin të shohin edhe anën tjetër të medaljes në veprimtarinë e kësaj organizate. Nën maskën e mbrojtjes së interesave kombëtare serbe, funksionarët e saj pasuroheshin brenda natës në mënyrë përrallore, ndërsa numri i serbëve në Kosovë zvogëlohej, e ata që vazhdonin të jetonin në vatrat e tyre bëheshin gjithnjë e më të varfër.
Për të vendosur një monopol politik në mesin e serbëve të Kosovës, Lista Serbe përdori të gjitha mjetet që i qëndronin në dispozicion, duke filluar nga resurset shtetërore të Serbisë e deri te metodat kriminale. Shtrirja e aktiviteteve të saj dhe metodat e bindjes shkonin nga punësimi në institucionet që financohen nga buxheti i Serbisë, te shpërndarja e ndihmave të ndryshme, e në rastet kur “efekti i karotës” mungonte, pasonte përdorimi i një game të gjerë metodash represive. Kështu, të pabindurve dhe politikisht të papërshtatshmëve, por edhe anëtarëve të familjeve të tyre, u ndaheshin vendime për pushim nga puna. Kur as kjo nuk jepte rezultat, aplikoheshin masa ekstreme si rrëmbime, rrahje, djegie makinash, sulme me bomba ndaj shtëpive familjare, e deri te vrasjet, si atentati ndaj Oliver Ivanoviqit.

Pavarësisht kombinimit të dukshëm të terrorit dhe abuzimit me resurset shtetërore, Lista Serbe është imponuar si përfaqësues legjitim i popullit serb në Kosovë, para së gjithash me insistimin e Beogradit zyrtar, i cili statusin e saj e ka kushtëzuar me vazhdimin e procesit të normalizimit.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi politik kryesor në lidhje me Listën Serbe, i cili shihet në mospërputhjen mes qëllimit zyrtar të themelimit të saj – mbështetja për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit – dhe veprimtarisë së saj reale. Në fakt, Lista Serbe e dëgjoi qeverinë e Serbisë dhe i detyroi serbët në katër komunat veriore të braktisnin të gjitha institucionet e Kosovës ku punonin në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit! Këtë nuk e bëri në gjashtë komunat e tjera me shumicë serbe! Pse??!!! Sepse Vuçiçi kishte planifikuar të mundësonte ndarjen e atyre katër komunave nga pjesa tjetër e Kosovës! Ky është qëllimi i tij i vjetër. Ai u përpoq ta realizonte diplomatikisht gjatë mandatit të parë të Trumpit, por pas dështimit, iu rikthye asaj ideje kur Rusia e sulmoi Ukrainën! Si rusofil, i informuar nga shërbimet e inteligjencës ruse, ai besoi se kriminelët nga Moska do ta fitonin shpejt atë luftë!

Mirëpo, viktima të këtij vendimi të tij të gabuar u bënë vetë serbët nga veriu i Kosovës – humbën pozitat në sistemin e Kosovës, humbën pagat dhe rrezikuan ekzistencën e familjeve të tyre! Ndërkohë, funksionarët e Listës Serbe mbetën në institucionet e Kosovës (deputetë në kuvend, vende në qeveri…), të shpërblyer nga Vuçiçi me punë në Serbi, me poste në ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore, dhe në një kohë të shkurtër u bënë të pasur, ndonëse të gjithë e dinë se para krijimit të Listës Serbe nuk ishin të tillë!
Nga ky gabim, pasuan të tjera – bojkotimi i zgjedhjeve të parakohshme lokale, pastaj sulmi ndaj KFOR-it në maj 2023 dhe, në fund, sulmi terrorist ndaj policëve në Banjskë dhe vrasja e njërit prej tyre! Policët, të cilët as që do të ishin në Banjskë po të mos e kishte zbatuar më parë Lista Serbe braktisjen e Policisë së Kosovës! Nëse dikush i ka mbi ndërgjegje katër personat e vrarë atë ditë, ata janë shërbëtorët e bindur të Listës Serbe!

Ky incident e ka zbuluar përfundimisht veprimtarinë destruktive të kësaj organizate, e cila, pavarësisht sigurisë që jep Beogradi zyrtar, gjatë gjithë kohës nuk ka qenë e përqendruar në zbatimin, por në shkatërrimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe bllokimin thelbësor të procesit të normalizimit.

E gjithë kjo i mundësoi qeverisë në Prishtinë të vendosë të gjitha institucionet e Kosovës dhe të zbatojë gjithçka të rënë dakord gjatë dialogut me Serbinë (pasaportat, targat, pagesën e rrymës, valutën, mbylljen e zyrave të fundit institucionale të Serbisë…), gjë që ua ndërlikoi edhe më shumë dhe në mënyrë të përshpejtuar jetën qytetarëve në komunat veriore, të papërgatitur për diçka të tillë!

Edhe pse dukej se pas ngjarjes së Banjskës Listës Serbe do t’i vinte fundi, me përpjekjet e regjimit të Vuçiçit ajo mbeti në skenë duke e shtypur brutalisht çdo përpjekje për krijimin e një pluralizmi të vërtetë politik në mesin e serbëve të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht propagandës së regjimit dhe shantazheve të hapura, për serbët në Kosovë është e qartë se kjo organizatë përfaqëson lakun në fyt të popullit serb, e jo mbrojtësen e interesave të tij. Përkundër kësaj, falë frikësimit dhe represionit të hapur, serbët në Kosovë sot janë pengje të Milan Radojiçiqit dhe regjimit të Vuçiqit, të cilët procesin e normalizimit e shohin si një rrezik jetik për interesat e tyre kriminale në Kosovë.

Falë veprimtarisë së Listës Serbe dhe mbështetjes që ajo merr nga regjimi në Beograd, sot ekzistenca e serbëve në Kosovë është vënë në pikëpyetje, me rrezikun e shpërnguljes masive të mëtejshme, për të cilën propaganda e Beogradit do ta fajësojë Prishtinën dhe do ta përdorë si argument të ri për nxitjen e urrejtjes dhe pengimin e procesit të normalizimit.

Në mungesë të një presioni vendimtar ndërkombëtar që procesi i normalizimit të vendoset mbi themele të qëndrueshme, veprimtaria e Beogradit zyrtar dhe Listës Serbe do të mbetet një faktor i përhershëm i paqëndrueshmërisë dhe trampolinë për ndërhyrjen malinje të Rusisë, e cila në destabilizimin e rajonit sheh shansin e saj për tregti të mundshme me Perëndimin.

Për të gjitha arsyet e përmendura, serbët në Kosovë të dielën, në zgjedhjet lokale, duhet të dalin në numër të madh dhe të votojnë lirshëm. Duhet të votojnë për interesin e tyre. Për njerëz që do t’i udhëheqin komunat në interesin e tyre, e jo për interesin e regjimit të Vuçiqit, kriminelëve dhe shërbëtorëve të tij! Duhet të zgjedhin komuna të afta që do të formojnë lehtësisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse vetëm kështu askush në Prishtinë nuk do të mund ta shtyjë më këtë proces! Serbët duhet të zgjedhin ata që do t’u mundësojnë bashkëjetesë me fqinjët, e jo ata që do të pasurohen duke bërtitur parulla, duke rrëfyer mite dhe duke i shërbyer vetëm Vuçiqit! Serbët duhet të zgjedhin njerëz, e jo shërbëtorë – jo Listën Serbe, sepse ajo përbëhet vetëm nga shërbëtorë!/The Geopost/

Të fundit nga rubrika