Qeveria britanike ka refuzuar kategorikisht deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili akuzoi shtetet evropiane se po kërkojnë luftë me Rusinë.
Londra i ka cilësuar këto pretendime si të pabaza dhe retorikë të rrezikshme. Putin kishte thënë se vendet e Evropës po nxisin vazhdimin e konfliktit dhe se, nëse kërkojnë konfrontim, Moska “është e përgatitur”.
Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, u shpreh se kërcënimet e Putinit janë të pakuptimta dhe pasqyrojnë një qasje të gabuar.
Ai theksoi se shtetet evropiane po veprojnë të bashkuara për të mbështetur të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe se NATO mbetet e palëkundur në përgjigjen e saj të përbashkët ndaj çdo kërcënimi.
Reagimi në Mbretërinë e Bashkuar erdhi paralelisht me takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, ku u diskutua rritja e mbështetjes për Ukrainën, pas mungesës së progresit në kontaktet e fundit mes Uashingtonit dhe Moskës.
I pyetur nëse Britania është e gatshme për një konflikt të mundshëm, Starmer theksoi se “çdokush e di se Putini është agresori” dhe se ai vazhdon të shmangë bisedimet për një marrëveshje paqësore.
Sipas tij, aleatët e NATO-s duhet të thellojnë presionin ndaj Rusisë dhe të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për Ukrainën, përfshirë ndihmën me burime dhe kapacitete të tjera.