Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Hristijan Mickoski se ka mashtruar punëtorët lidhur me pagën minimale, duke ofruar, sipas tyre, një rritje të papërfillshme prej rreth 1.600 denarësh në vend të premtimit për 600 euro.
Nga LSDM thonë se nuk bëhet fjalë për rritje reale të pagës minimale, por vetëm për një rregullim ligjor që rezulton me një shtesë prej rreth 1.660 denarësh, të cilën e cilësojnë si të turpshme.
Sipas opozitës, me këtë nivel të pagës minimale, punëtorët po përballen me vështirësi serioze për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës, përfshirë ushqimin dhe faturat.
LSDM akuzon gjithashtu qeverinë se, ndërkohë që pretendon se nuk ka mjete për ta rritur pagën minimale në 600 euro, shpenzon për luks dhe privilegje për zyrtarët, përfshirë përdorimin e aeroplanit qeveritar, mobilje dhe automjete, si dhe tenderë që i cilëson si të dyshimtë.