Gjatë rrëfimit të saj, e mbijetuara e dhunës seksuale thotë se jetonin afër rrugës ku kalonin shpesh ushtarët e paramilitarët serbë, të cilët ishin të maskuar, të ngjyrosur në fytyrë, çka bënte të ishin në frikë gjatë gjithë kohës.
Ajo tutje rrëfen se në fillim të luftës mbeti veç me prindërit e bashkëshortit pasi atë e kishin arrestuar.
“Na rrethekuan se i kishin qitë krejt n’tana anët, s’kishe kah, mundo këndej, mundo anej, edhe ma n’fund kemi pasë ikë ato ditë po prapë jemi kthy në shpi, edhe ma prej shpije s’kemi dalë se s’kemi pasë kah shkojmë. Na rrethekuan, dolëm ato ditë që na rrethekuan, na lan me dal dikah nëpër male se jo kërkun me shku, në male, po prapë na kthyen, u kthyem në shpija, po s’kishim”.
Bashkëshorti i ishte arrestuar gjatë kohës së rrethimit.
“Po, i majshin kah dy javë, vjehrrin jo, dy netë ma shumë jo, burrin po, me rini kështu i majshin e i lëshojshin”, tregon tutje e mbijetuara e aktit barbar të forcave serbe.
Ajo rrëfen se pas asaj dite, nuk e kishte ditur nëse burri i saj është gjallë apo është vrarë, derisa ka hyrë Kryqi i Kuq dhe i ka evidentuar të burgosurit e kanë kuptuar se ai është gjallë.