Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të hënën se Franca do të zgjerojë arsenalin e saj bërthamor dhe do të përforcojë kapacitetet parandaluese, duke përmendur rritjen e rreziqeve globale dhe mundësinë e përshkallëzimit të konflikteve deri në nivel bërthamor.
Gjatë një fjalimi nga një bazë nëndetësesh në Bretanjë, Macron theksoi se bota po kalon një periudhë të trazuar gjeopolitike, të mbushur me pasiguri dhe rreziqe, duke nënvizuar nevojën për një “forcim” të modelit francez të parandalimit.
Duke prezantuar përditësimin e doktrinës bërthamore të Francës në një bazë në bregdetin e Atlantikut, ai bëri të ditur se një ndryshim i rëndësishëm do të jetë thellimi i bashkëpunimit me aleatët evropianë që kanë shprehur interes, përfshirë Gjermaninë.
Sipas Macronit, Gjermania, si dhe Polonia, Holanda, Belgjika dhe Danimarka, do të mund të marrin pjesë në manovrat bërthamore franceze. Megjithatë, ai theksoi se vendimmarrja për përdorimin e armëve bërthamore do të mbetet ekskluzivisht në kompetencën e presidentit francez.
Macron shtoi gjithashtu se, në rrethana të caktuara, do të mund të vendosen asete strategjike në vende të tjera evropiane, si pjesë e një doktrine të re që ai e quajti “parandalimi përpara”.
Edhe pse Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë fuqitë e vetme bërthamore në Evropë, shumica e vendeve të kontinentit mbështeten kryesisht te Shtetet e Bashkuara për garancitë e sigurisë, një element kyç i arkitekturës transatlantike prej dekadash.