Magjistralja Ferizaj-Gjilan bllokohet nga vërshimet e shiut, banorët kërkojnë ndihmë

Rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan, saktësisht në fshatin Sojevë, mbetet e bllokuar dhe e paqarkullueshme për shkak të vërshimeve nga shiu, e cila përpos rrugën kryesore i ka përfshirë shtëpitë e banimit e po ashtu edhe bizneset, tek të cilat dëmi kap vlerën mijëra euro. Banorët lokalë thonë se me vërshime të ngjashme përballen tash e mbi 10 vite, për shkak se nuk kanë bërë zgjidhje as Komuna e as Ministria e Infrastrukturës.

Vërshimet dhe bllokimi i rrugës ndonëse të jashtëzakonshme, janë bërë situata normale për banorët e një pjese të fshatit Sojevë. Bëhet fjalë për këtë segment të rrugës, pikërisht përballë bazës ushtarake amerikane në Bondsteel, magjistralja Ferizaj-Gjilan.

Kjo pjesë e rrugës bllokohet me pak reshje të shiut, e lëre më kur ka sasi sikurse ato të fillimit të janarit por edhe natën e mbrëmshme.

Për shkak të bllokimit të magjistrales Ferizaj-Gjilan, këtu në fshatin Sojevë, qarkullimi po vazhdon nëpër rrugët alternative në fshatrat përreth. Në kohën që po flasim, sapo u tërhoq një veturë pikap e cila kishte mbetur në mes të ujit.

Dëmet janë të konsiderueshme. Shtëpi banimi të përfshirë nga uji, shumë biznese janë detyruar ta ndërpresin punën, dhe kjo është bërë situatë e zakonshme tash e 10 vite, por e padurueshme për ta.

“Dëme të mëdha, diku 1 metër e diçka na ka hyrë uji, dëme të mëdha, vëllait shtëpinë e ka pas ja ka bërë diku 60-70 mijë euro dëme, vëllait qashtu 100 mijë euro shumë dëme…faji është prej atje prej Shaqës prej Mirosalës e te knej, deri te lokali im është e bllokuar, përndryshe nuk bëhet zgjidhje hiq, se kanë blloku kanalizimet e vogla as nuk vijnë me i qel as kurgjo hiq”, ka thënë Selman Halimi, pronar biznesi.

Selman Halimi thotë vetëm këtë vit shtëpitë dhe bizneset iu janë përfshirë nga uji disa herë, ndërsa brenda viti 2-3 herë është e zakonshme që këtë pjesë të fshatit Sojevë ta mbulojë uji.

“E kam restaurant Sela, vëllai prapa, kushëriri, kojshija, krejteve dëme të mëdha na janë bërë, prap po thirremi në Komunë në Ministri, nuk po bëjnë zgjidhje, kurrfar zgjidhje, vetëm me dalë në protestë ndryshe nuk po bën. Urat janë kanë këtu, krejt janë të bllokume, as nuk vijnë me i kqyr as kurgjo”, ka shtuar Halimi.

Banorët thonë se asnjë institucion deri më tani nuk është interesuar as për gjendjen e tyre e as për zhbllokimin e rrugës.

Nga komuna e Ferizajt, thanë se kjo rrugë është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtarë të së cilës nuk janë përgjigjur në interesimin e televizionit.

 

Të fundit nga rubrika