24 ditë pasi Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte pushuar hetimet për dhunë në familje, ndaj Bashkim Gashit, ai theri me thikë gruan dhe vajzën e tij 12 vjeçare.
Rasti ndodhi më 17 tetor, në ndërtesën e një banesë në Prizren, por çifti në të kaluarën kishin jetuar në Malishevë.
Rasti i parë i dhunës në familje, ishte pushuar meqë Prokuroria në një përgjigje për Dukagjinin, thanë se nuk kishte gjetur prova për këtë.
“Prokuroria Themelore Gjakovë, nga Policia e Kosovës më dt.04.09.2025 ka pranuar kallëzimin penal ndaj B.G., për shkak të veprës penale “Dhuna në familja”, ndaj të dëmtuarës M.G. Prokurori i Shtetit lidhur me këtë rast ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve, duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke përfshirë ekzaminim mjekoligjor për të dëmtuarën ku ka rezultuar pa lëndime trupore, po ashtu janë proceduar palët duke marr deklaratat e tyre, ku e dëmtuar ka deklaruar se i kanë raportet e mira dhe jetojnë së bashku dhe në prezencën e mbrojtëses së viktimave, ka shfrytëzuar të drejtën ligjore sipas dispozitave të KPPK-së për të mos u deklaruar. Gjithashtu nga ZMNV e njëjta është njoftuar për të drejtat ligjore dhe e njëjta ka deklaruar se nuk ndjehet e rrezikuar dhe nuk kërkon urdhërmbrojtje. Prokurori i Shtetit, pasi që ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast dhe në mungesë të provave materiale apo personale, më dt.24.09.2025 ka marr aktvendim për pushimin e hetimeve, për shkak se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mire, që i njëjti të ketë kryer veprën penale për të cilën është dyshuar. Të cilin vendim pala e dëmtuar e ka pranuar personalisht dhe nuk është parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.”- Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Prejardhja e Bashkim Gashit, sipas shkresave në institucionet e drejtësisë, është nga komuna e Malishevës, dhe të njëjtit deri muajin e kaluar ishin duke jetuar në këtë komunë.
Me rastin ishin marrë edhe Qendra për Punë Sociale në Malishevë.
“QPS në Malishevë ka marr informacionin lidhur me rastin ka ndodhur dhe se bashku me bashkëshortin e saj ka ardhur në QPS në Malishevë është fjala për me herët dhe ka deklaruar se ata janë pajtuar se sigurisht ka qenë mosmarrëveshje dhe nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me ne kanë vendosur të bashkëjetojnë në qytetin e Prizrenit..”, ka thënë Muhamet Shala – QPS, Prizren.
Tek pas rastit të therjes me thikë, Qendra në Malishevë i kishte dërguar një raport me detaje Qendrës për Punë Sociale në Prizren.
Por, përveç tashmë në paraburgim për veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”, Gashi po hetohet edhe për një vepër tjetër penale.
“Po ashtu sa i përket pyetjes tuaj nëse ka ndonjë rast tjetër për ndonjë vepër tjetër penale, ju njoftojmë se Policia e Kosovës më dt.15.10.2025 ka paraqitur kallëzimin penal ndaj B.G., për shkak të veprës penale “Ngacmimi” ndaj një personi të gjinisë mashkullore, i cili rast do të trajtohet sipas afateve të përcaktuara me dispozitat e KPPK-së. Në fund, ju njoftojmë se rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastet të cilat trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të dyshuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë dhe atë konform dispozitave të KPPK-së.”- Prokuroria Themelore e Gjakovës
Më 17 tetor të këtij viti, Bashkim Gashi plagosi vajzën e tij të mitur dhe gruan. Për shkak të gjendjes shëndetësore vajza është transferuar në QKUK, ku edhe aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë.
Në një përgjigje të këtij institucioni thuhet se pacientja ka gjendje stabile.
“Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njofton se më datë 20.10.2025 është pranuar në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik një paciente e mitur, me inicialet E.A. (12 vjeç), e transferuar nga Spitali Rajonal i Prizrenit nën përcjelljen e ekipës mjekësore, pas një lëndimi të rëndë me thikë në regjionin torakal dhe abdominal. Pacientja kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale urgjente në Spitalin e Prizrenit, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë klinike është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK. Pas pranimit në Klinikën e Pediatrisë, është realizuar përpunim i plotë klinik, laboratorik dhe imazherik, janë kryer konsultime multidisiplinare (kirurgji torakale, kirurgji pediatrike, psikologji klinike), si dhe është filluar trajtimi intensiv mjekësor sipas protokoleve mjekësore. Aktualisht, gjendja e pacientës është stabile, nën monitorim të vazhdueshëm të ekipit mjekësor në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik. Klinika e Pediatrisë thekson se rasti është nën trajtim të specializuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet kirurgjikale, ndërsa janë ndërmarrë të gjitha masat mjekësore dhe psikosociale të nevojshme për kujdesin e pacientit të mitur.”– Zyra e drejtorit të QKUK-së.
Dukagjini më herët ka siguruar edhe shkresat e rastit, ku thuhet se xhelozia kishte qenë motiv i therjes.