Udhëheqësi i Hamasit në mërgim, Khalil Al-Hayya, deklaroi të enjten se grupi palestinez ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara, ndërmjetësit arabë dhe Turqia se lufta në Gaza ka përfunduar.
“Armëpushimi i përhershëm ka filluar sot. Të gjitha gratë dhe fëmijët e ndaluar në Izrael do të lirohen. Dera e prosperitetit do të hapet,” thuhet në një komunikatë zyrtare të Hamasit.
Në një fjalim televiziv, Al-Hayya konfirmoi se është arritur marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të nisur zbatimin e një armëpushimi të përhershëm, përfshirë edhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza. Sipas tij, si pjesë e marrëveshjes do të lirohen 250 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe 1,700 të tjerë të arrestuar pas ngjarjeve të 7 tetorit.
Ndërkohë, kabineti i sigurisë së Izraelit ka përfunduar diskutimet për planin e propozuar nga SHBA që synon t’i japë fund luftës dhe të mundësojë lirimin e pengjeve. Burime nga brenda kabinetit i thanë The Times of Israel se votimi përfundimtar nga qeveria pritet të japë dritën jeshile për marrëveshjen, me mbështetje të gjerë.
Në një intervistë të rrallë për Channel 12, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara për zbatimin e reformave të kërkuara nga marrëveshja. Ai theksoi se presioni ndërkombëtar për njohjen e një shteti palestinez nuk ka për qëllim të dëmtojë Izraelin, por të avancojë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.