Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një aksion para Qeverisë së Kosovës, ku te shkallët e hyrjes së këtij objekti ka hedhur letra me mbishkrime si “Kurti lëshon pe për ilegalët”.
Ata kanë dërguar një qese të bërllokut më mbishkrimin “Mashtrimet e Kurtit”.
Ky aksion vjen pasi Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është pajtuar që nga e diela zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i Ligjit për automjetet të nisë me disa lehtësira për serbët që punojnë në institucionet paralele apo studiojnë në universitetin në veri të vendit.
Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, autoritetet kosovare kanë pranuar që studentëve serbë që nuk posedojnë dokumente të Kosovës t’u lëshohen leje qëndrimi 12-mujore.
Po ashtu, është vendosur që për një periudhë tre mujore të pranohen edhe dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat ilegale.


