Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zbuluar mbi 10 mijë euro para të padeklaruara gjatë kontrollit të një udhëtari në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit fizik në zonën e arritjeve, në trupin e udhëtarit janë gjetur të fshehura në çorape 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që ai mbante me vete.
Në total, shuma e sekuestruar arrin në 9,300 funta britanike, që sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar një masë administrative prej 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Rasti është referuar sektorit të Hetimeve për trajtim të mëtejshëm, ndërsa Dogana e Kosovës thekson se forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit.
