Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka njoftuar se do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat ushtarake britanike për veprime mbrojtëse në rajon.
Në një deklaratë me video të publikuar në rrjetin social X, Starmer tha se SHBA-ja ka kërkuar leje për të përdorur bazat britanike “për një qëllim specifik dhe të kufizuar mbrojtës”, kërkesë që sipas tij është pranuar.
“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur. Ne kemi avionë britanikë në ajër si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse, të cilat tashmë kanë ndërprerë me sukses sulme iraniane”, deklaroi ai, raporton BBC.
Starmer theksoi se mënyra e vetme për të ndalur kërcënimin është “shkatërrimi i raketave në burim – në depot e tyre ose në lëshuesit prej nga ato hidhen”.
Ai sqaroi se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’u bashkohet sulmeve ofensive kundër Iranit.
“Ne nuk po i bashkohemi këtyre sulmeve, por do të vazhdojmë me veprimet tona mbrojtëse në rajon”, tha ai, duke shtuar se Londra nuk ishte e përfshirë në sulmet fillestare ndaj Iranit dhe “nuk do të marrë pjesë në veprime ofensive”.
Duke iu referuar luftës në Irak, Starmer theksoi se “të gjithë i kujtojmë gabimet e Irakut dhe kemi nxjerrë mësimet tona”.
Sipas tij, vendimi për të lejuar përdorimin e bazave britanike është marrë për të parandaluar që Irani të lëshojë raketa në rajon, duke rrezikuar jetët e civilëve dhe shtetasve britanikë.
Ai e përshkroi situatën si urgjente dhe tha se Mbretëria e Bashkuar po mbështet “vetëmbrojtjen kolektive të aleatëve dhe të popullit tonë në rajon”, duke e cilësuar këtë si mënyrën më të mirë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.