Të mërkurën në mesnatë është përmbyllur afati për aplikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave me kandidatët që do të garojnë në Zgjedhjet Lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar se gjatë ditës do të publikohet lista e plotë e subjekteve që kanë aplikuar për certifikim.
Ai tutje ka bërë të ditur se sot( e enjte), më 14 gusht, KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës për certifikimin e grupit të dytë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit, bashkë me listat e kandidatëve të tyre.
Mbledhja, e cila pritet të nisë në orën 14:00, ka në rend dite certifikimin e nëntë subjekteve politike – katër iniciativa qytetare dhe pesë kandidatë të pavarur. Në total, këto subjekte përfaqësohen nga 66 kandidatë, prej të cilëve katër garojnë për kryetarë komunash dhe 62 për anëtarë të kuvendeve komunale.