Është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e njohur si ai i “rezervave shtetërore”, ku të akuzuar janë ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Gjyqtari i çështjes, Avni Syla, vendosi që seanca të zhvillohet pa praninë e publikut, duke u thirrur në nevojën për ruajtjen e informatave të klasifikuara.
Ai paralajmëroi palët se çdo zbulim i informacionit konfidencial gjatë procesit gjyqësor do të sjellë përgjegjësi ligjore.
Syla bëri të ditur se për këtë çështje do të nxjerrë një aktvendim të veçantë.
Prokurori special Valdet Gashi, duke u përgjigjur kërkesës së gjykatës për çështjen e hapjes ose mbylljes së seancës, tha se qëndrimi i prokurorisë është që shqyrtimi gjyqësor të mbahet i hapur, përveç rasteve kur gjatë tij diskutohet për pjesë të cilat janë cilësuar si çështje sekrete nga ana e prokurorisë dhe janë përfshirë në aktakuzë. Ai shtoi se, sipas tij, palët mund të koordinohen në mënyrë që të bëhet një ndarje e qartë se cilat pjesë të seancës duhet të jenë të hapura dhe cilat të mbyllura.
“Sa i përket çështjes të cilën e ngritët ju, ne mendojmë se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë shqyrtimit gjyqësor për pjesët të cilat janë konsideruar si çështje sekrete nga ana e prokurorisë dhe janë paraqitur në aktakuzë. Besoj se mund të koordinohemi që të bëjmë një ndarje të tillë se kur duhet të jenë seancat e hapura dhe kur të mbyllura”, tha ai.
Avokati i Rozeta Hajdarit, Florent Latifja, u shpreh se nuk pajtohet as me hetimin, as me aktakuzën e prokurorisë dhe as me qëndrimin e prokurorit special lidhur me kërkesën e gjykatës për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor të hapur apo të mbyllur.
Ai theksoi se në këtë çështje ka shumë materiale që përbëjnë sekret shtetëror, për të cilat, sipas tij, as avokatët mbrojtës, as bashkëpunëtorët e prokurorit dhe as policët hetues nuk kanë pasur dhe nuk kanë të drejtë qasjeje.
Avokati i Ridvan Muharremit, Muhamet Halimi, tha se nuk do të deklarohet lidhur me çështjen e publicitetit të seancës dhe se ia lë vendimmarrjen gjykatës.
Rozeta Hajdari e të tjerët dalin para gjykatës për rastin e “Rezervave Shtetërore”