Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në këtë proces përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Sipas njoftimit të gjykatës, seanca do të nisë në orën 09:30 dhe pritet të përfundojë në orën 16:00.
Aktakuza fillestare ndaj pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi, gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit, ka dhënë informacion konfidencial për dëshmitarët që do të thirreshin nga Prokuroria në çështjen për krime lufte.
Ai, sipas aktakuzës, i ka udhëzuar Smakajn, Kilajn, Fazliun dhe Kuçin “që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.