Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka përkujtuar intelektualin Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij, teksa ka theksuar se është e pamundur të mos kujtohet figura e një personaliteti të papërsëritshëm, kontributi i të cilit tejkalon suazat e letërsisë.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se përtej shkrimeve e ideve atdhetare, këmbëngulësia e Demaçit në luftë kundër regjimit serb, në mbrojtje të së drejtës, barazisë, për liri e pavarësi janë shëmbëlltyrë e një figure stoike, që angazhimin e tij politik e shihte si mjet e domosdoshmëri për t’i shërbyer kauzës kombëtare, njerëzore, përtej vetes për popullin, pavarësisht pasojave dhe vuajtjeve personale.
“Sot teksa shënohet përvjetori i vdekjes së Adem Demaçit, është e pamundur të mos kujtojmë figurën e tij të një personaliteti të papërsëritshëm, kontributi i të cilit tejkalon suazat e letërsisë. Përtej shkrimeve e ideve atdhetare këmbëngulësia në luftë kundër regjimit serb, në mbrojtje të së drejtës, barazisë, për liri e pavarësi janë shëmbëlltyrë e një figure stoike që angazhimin e tij politik e shihte si mjet e domosdoshmëri për t’i shërbyer kauzës kombëtare, njerëzore, përtej vetes për popullin, pavarësisht pasojave dhe vuajteve personale”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka thënë se 28 vitet e tij të qëndrimit në burg në asnjë formë nuk arritën ta ndalnin mendimin e tij kritik dhe as rrugëtimin e tij, që do mbetet gjithmonë shembull ndër breza.
Siç thotë ai, “Mandela i Ballkanit”, e dëshmoi ndërkombëtarisht padrejtësinë që po u bëhej shqiptarëve dhe “ishte prijësi dhe më largpamësi në popull i cili kuptoi se vetëm liria e fituar me luftë nuk mund të tjetërsohet dhe se nënshtrimi asnjëherë nuk duhet të jetë opsion”.
“Baca Adem është themeli i shtetit tonë të pavarur, emblema politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intelektuali që pavarësisht mosprezencës fizike është përkujtuesi i përjetshëm i destinacionit final, të ardhmes tonë si shtet e komb”, ka vijuar tutje Mehaj. Lavdi për luftëtarin bindjet e të cilit nuk ia mdryshoi asnjëherë as koha dhe as mosha”.
Ndryshe, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik ndërroi jetë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 87 vjet.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.
Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.