Ministri i Mbrojtjes, Armsned Mehaj ka njoftuar se me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes të Finlandës, Antti Kaikkonen, ka qenë në vizitë zyrtare në Finlandë.
“Me ç’rast gjatë takimit me Ministrin Kaikkonen, diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit zingjir që ka agresioni rus në Ukrainë, vendimin e Finlandës për të aplikuar në NATO, rëndësisë së zgjerimit të kësaj aleance me qëllim garantimin e stabilitetit dhe paqes”, ka shkruar ministri Mehaj.
Tutje sipas njoftimit ministrat Mehaj dhe Kaikkonen kanë diskutuar për fushat në të cilat do të bashkëpunojnë, sipas tyre me theks të veçantë në trajnimin dhe edukimin e kuadrove të reja të ushtarakëve, realizimin e ushtrimeve të përbashkëta dimërore.
Mehaj ka shtuar se ka njoftuar ministrin finlandez dhe për kapacitetet e ushtrisë së Republikës së Kosovës, arritjet dhe gatishmërinë për të ndarë me ushtrinë finlandeze përvojën e FSK-së në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Mes tjerash Mehaj ka potencuar se ka ftuar homologun nga Finlanda për vizitë në Republikën e Kosovës, ndërsa sipas Mehajt, ministri Kaikkonen ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij për të rritur prezencën e trupave finlandeze në kuadër të misionit të KFOR-it.