Kryetari në dorëheqje i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në konventën e 12-të të kësaj partie, ku do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së, është shprehur se kjo detyrë ishte nderi më i madh i jetës së tij.
Krasniqi pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partisë.
“Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend. Këto 1600 ditë kanë qenë ditët më domethënëse të jetës sime publike. Sot largohem nga detyra me mirënjohje. Me krenari. Me paqe”, ka theksuar ai.
“Pas gati 1600 ditësh shërbimi si udhëheqës i juaji, besoj se PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri, teksa përgatitet për zgjedhjet nacionale të radhës. Nuk po largohem prej lodhjes. Nuk po largohem prej zhgënjimit. Përkundrazi! Po e bëj këtë hap, sepse besoj thellë se: PDK ka nevojë për energji të re. PDK ka nevojë për një moment të ri unifikimi. PDK ka nevojë që Kryetari i saj të jetë edhe kandidati për Kryeministër. Po e bëj këtë nga përgjegjësia, jo sepse shtëpia jonë është e thyer, por sepse është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja. Po dorëhiqem duke e ditur se PDK-në po e lë më të fortë se sa që e gjeta kur më zgjodhët që t’ju prij. Ndoshta nuk është shumë, por ju siguroj se nuk kam kursyer as atomin e fundit të angazhimit dhe të dijes time për Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse, ju e dini: Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike. Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi te gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, ka thënë më tej Krasniqi.
Ai tha se ndjehet krenar që gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së tij, si rezultat i punës ekipore, PDK u ngrit dhe u forcua me fitore në zgjedhje lokale e komuna të rëndësishme anekënd vendit, me rikthimin e besimit të me rreth 200 mijë vota, me unitet të brendshëm, duke u bërë sërish forca më e besuar kombëtare, partia te e cila qytetarët kthehen kur vendi ka nevojë.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se për pesë vite institucionet kanë degraduar, ekonomia ka stagnuar dhe mirëqenia e qytetarëve është përkeqësuar.
“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.
Ai duke theksuar që kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.
“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit – udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, tha Memli Krasniqi.
