Papa Leo deklaroi në një predikim të mbajtur të mërkurën mbrëma, në vigjilje të Krishtlindjeve, se historia e lindjes së Jezusit në një stallë, sepse nuk kishte vend në han, duhet t’u kujtojë të krishterëve se refuzimi për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt sot është i barasvlershëm me refuzimin e vetë Zotit.
Papa Leo, i cili e ka vënë kujdesin për emigrantët dhe të varfrit në qendër të mesazheve të tij që në fillim të papnisë, tha se lindja e Jezusit dëshmon praninë e Zotit në çdo person. Ai udhëhoqi rreth 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën drejt festës së Krishtlindjeve, gjatë meshës së mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Në tokë nuk ka vend për Zotin, nëse nuk ka vend për njeriun. Të refuzosh njërin do të thotë të refuzosh tjetrin,” tha Papa gjatë shërbesës solemne, e cila u ndoq nga rreth 6 mijë besimtarë brenda bazilikës.
Papa Leo, i pari papë i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po feston Krishtlindjen e tij të parë si kreu i Kishës Katolike, pasi u zgjodh në maj nga kardinalët e botës për të pasuar Papa Françeskun e ndjerë.
Gjatë predikimit, ai citoi edhe fjalë të Papa Benediktit XVI, duke shprehur keqardhjen se bota shpesh nuk kujdeset për fëmijët, të varfrit dhe të huajt. Papa Leo ka kritikuar më herët edhe politikat përçarëse ndaj emigrantëve të presidentit amerikan Donald Trump.
“Kur një ekonomi e shtrembëruar na shtyn t’i trajtojmë qeniet njerëzore si mallra, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi,” tha Papa.
“Ku ka vend për njeriun, ka vend edhe për Zotin. Edhe një stallë mund të bëhet më e shenjtë se një tempull,” shtoi ai.
Jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit, rreth 5 mijë persona e ndoqën meshën përmes ekraneve në shesh, duke mbajtur çadra dhe të veshur me mushama, nën shiun e dendur që binte në Romë.
Papa Leo, 70 vjeç, doli jashtë për t’i përshëndetur besimtarët para fillimit të meshës. “Ju admiroj, ju respektoj dhe ju falënderoj për guximin dhe dëshirën për të qenë këtu sonte,” u tha ai, “edhe në këtë mot.”
Të enjten, Papa do të kremtojë meshën e Ditës së Krishtlindjeve dhe do të japë mesazhin dhe bekimin tradicional “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën).