Mijëra euro subvencion nga Ministria e Bujqësisë për Agron Kuçin, toka s’është tani e punuar

Familja e ish-kryetarit të Junikut, Agron Kuçi, ka marrë mijëra euro subvencione për një pemishte disa hektarësh. Dokumentet të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë për dhënie të subvencioneve nga viti 2022 deri më 2024, ndonëse Kuçi mohon të ketë marrë subvencione për pjesët e djegura gjatë vitit 2022, duke thënë se Ministria nuk kishte pranuar të japë subvencione për to. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e Dukagjinit lidhur me çështjen

Kjo tokë është një pemishte prej mbi 11 hektarësh në Komunën e Junikut, ani pse nga mirëmbajtja vetëm e tillë nuk duket.

Të mbjellat i kanë mbuluar bari, bimët janë vyshkur e madje, një pjesë e tokave është djegur në viti 2022.

Këta hektarë janë në pronësi të familjes Kuçi, specifikisht ish-kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi dhe të vëllezërve të tij.

Pavarësisht mosmirëmbajtjes së tokave dhe djegies së një pjese të tyre, vëllai dhe gruaja e Kuçit, kanë përfituar nga viti në vit subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Në vitin 2022 kur ka ndodhur djegia e pemëve, Mërgim Kuçi dhe Leonita Kuçi kanë përfituar gjithsej 5 mijë euro, apo nga mbi 2 mijë e 500 euro secili.

Të njëjtën shumë si subvencion e kanë përfituar edhe në vitet 2023 dhe 2024.

Të dy kanë të regjistruara biznese të ndara, me nga dy punëtorë, derisa ai Mërgim Kuçit, si numër kontakti ka lënë atë të ish-kryetarit Kuçi.

Por, ish-kryetari Kuqi mohon se ka marrë subvencione edhe për pjesën e tokës së djegur.

E kem bashkë me vëllezër atë tokë, akoma nuk e kemi ndarë. Kemi apliku, i kemi pas marrë ato grante, kemi pas mjellë molla, i kemi marrë ato subvencione…diçka tjetër, s’di ç’ka me iu thanë juve. Jo, i kanë rrëzu subvencionet. Jo, për pjesën e djegur nuk i kemi marrë, e kanë rrëzu” – Agron Kuçi – Ish-Kryetar i Junikut

Në mesin e granteve të fituara nga familjarët e Kuçit ishte edhe ai prej 160 mijë eurosh në vitin 2020 për ndërtimin e pendës së ujitjes që gjendet pak më lart sesa hektarët e lartcekur.

Televizioni ka siguruar pamje të gjendjes aktuale të kësaj pende, e cila shihet se aktualisht është jofunksionale.

Sipas ish-kryetarit Kuçi, ajo ishte rregulluar në fillim, por u dëmtua nga bora.

Digën e kemi rregullu, e kemi punu.  Po, ka përfundu diga krejt, po sivjet s’kemi punu as me digën se e prishi (reshjet) gjithçka e prishi”.- Agron Kuçi, Ish-Kryetar i Junikut

Kuçi nuk ka ofruar ndonjë dëshmi të prodhimit nga këto toka përgjatë viteve që pranoi subvencione, ndonëse thotë se të njëjtat, i ka shitur në treg.

Në vitin 2016, familjarët e Agron Kuçit kishin përfituar rreth 133 mijë e 600 euro për ngritjen e kësaj pemishte.

Për këtë çështje, televizioni ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka pranuar përgjigje.

Të fundit nga rubrika