Ministri i Jashtëm i Çekisë gjatë kësaj jave viziton Kosovën

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, ndërsa ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, do ta vizitojë Kosovën gjatë kësaj jave

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky





Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, gjatë kësaj jave do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Kështu është bërë e ditur nga Agjencia çeke e lajmeve, duke cituar fjalët e Lipavskyt, i cili ka thënë se qëllimi i Republikës çeke është integrimi i vendeve të Ballkanit Përëndimor në Bashkimin Evropian.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, ka thënë Lipavsky, cituar nga Agjencia Çeke e Lajmeve.

Ndryshe, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga vendet anëtare gjatë vjeshtës”, është shprehur ministri çek, shkruan “Euractiv”.

Për të miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave me BE-në.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95, sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, përmes raportit për Kosovën.

Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Koha për miratimin e vendimit është tash”, kishte thënë von Cramon.

Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje BE-së që urgjentisht t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani e ka quajtur padrejtësi mosliberalizimin.





Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika