Ministrja gjermane për Evropën këtë javë viziton Kosovën

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann do të jetë në Kosovë më 22 – 23 tetor, ku në agjendën e saj siç raporton REL janë takimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann





Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann, do të vizitojë këtë javë Kosovën, dhe në agjendën e saj janë edhe takimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Sipas Ambasadës gjermane, ajo do të jetë në Kosovë më 22 – 23 tetor, raporton Radio Evropa e Lirë.

Vizita e saj në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën për një televizion në Kosovë, se SHBA-ja e mbështet këtë propozim dhe çfarëdo plani që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës dhe, potencialisht, të Serbisë në integrimet euroatlantike”, ka thënë Escobar.

Escobar ka thënë se njohja reciproke “do të ndodhë”, pavarësisht se propozimi franko-gjerman, siç është raportuar, nuk përfshin njohjen reciproke.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozimi franko-gjerman konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka marrë asnjë propozim për marrëveshjen finale.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator u kanë kërkuar palëve që të jenë të gatshme për vendime të vështira në dialog.

Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.





Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika