Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka miratuar shpalljen e tetëmbëdhjetë aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme nga propozimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi me anë të një postimi në Facebook.
Në propozimet e lartcekura hyjnë Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Xhamia e Çarshisë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Kino Lumbardhi dhe jo vetëm.
“Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore miratoi shpalljen e tetëmbëdhjetë (18) aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme nga propozimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas një procesi shqyrtimi profesional të dosjeve nga Bordi dhe zyrtarët profesionalë të KKTK-së në mbledhjen e udhëhequr nga kryetarja, znj.Zanita Halimi, të mbajtur më datë 09.06.2023, anëtarët e Bordit me votim miratuan propozimet për shpallje në mbrojtje të përhershme të këtyre aseteve:
- Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Prishtinë
- Bibloteka “Hivzi Sylejmani”- Prishtinë
- Kulla e Sahatit – Prishtinë
- Muzeu Kombëtar i Kosovës – Prishtinë
- Shtëpi banimi e familjes së Hynilerëve – Prishtinë
- Xhamia e Çarshisë – Prishtinë
- Xhamia e Jashar Pashës – Prishtinë
- Kino Lumbardhi – Prizren
- Kërëk xhamia – Namazxhah – Prizren
- Kompleks banimi i familjes Hadro- Prizren
- Shtëpia e Muhamer Shabanit – Përlepnicë, Gjilan
- Kompleksi Memorial “Adem Jashari” Prekaz – Skenderaj
- Hamami i Vjetër – Vushtrri
- Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit – Zveçan
- Konaku i Tahir Beut – Pejë
- Konaku i Kasapollëve – Pejë
- Kulla e Sahatit – Rahovec
- Lokaliteti Arkeologjik “Vendenis” në Gllamnik – Podujevë.
Prej sot, 46 asete të trashëgimisë kulturore arkeologjike dhe arkitekturore kanë mbrojtje të përhershme”, thuhet në njoftim.