Në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë në këtë seancë ka hyrë në rend dite me mocion procedural të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje(VV).
Po ashtu, me 79 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar edhe Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, në vazhdimin e seancës plenare me pikat e mëparshme të patrajtuara ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
Pozitë dhe opozitë ishin pro ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.