Mbrojtja e Hashim Thaçit, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq, po paraqet këtë të mërkurë para trupit gjykues argumentet e saj për pafajësinë e ish-presidentit në këtë proces penal.
Gjatë prezantimit, i cili u shoqërua edhe me materiale digjitale, Mishetiq theksoi se praktika gjyqësore e tribunaleve dhe gjykatave ndërkombëtare ka përcaktuar se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 erdhi si reagim ndaj një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale nga ana serbe, e cila, sipas kësaj jurisprudence, kishte nisur jo më vonë se tetori i vitit 1998.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria po kërkon që përmes interpretimit dhe nxjerrjes së përfundimeve nga rrethana indirekte, të arrihet në konstatimin se ishte UÇK-ja ajo që kishte planifikuar një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale disa muaj më herët, përkatësisht në mars të vitit 1998.
“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.
Në argumentimin e saj, mbrojtja solli në vëmendje edhe rastin e ish-presidentit serb Milan Milutinoviq, për të cilin u tha se nuk ishte shpallur penalisht përgjegjës për ngjarjet e viteve 1998–1999 në Kosovë, me arsyetimin se si figurë politike nuk kishte ushtruar kontroll efektiv mbi forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe, rrjedhimisht, nuk kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.
Në këtë kontekst, mbrojtja argumenton se Prokuroria po aplikon standard të ndryshëm ndaj Thaçit, duke kërkuar që përmes inferencës të pranohet se ai, si udhëheqës politik i shqiptarëve të Kosovës dhe i UÇK-së – një formacion i armatosur joshtetëror që në atë kohë kishte ekzistuar vetëm për disa muaj – kishte kontroll efektiv dhe mban përgjegjësi penale.
“ZPS-ja po u kërkon juve që pavarësisht se presidenti serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krimet masive të luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, duke u bazuar në këtë deduksion iu duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës. Ky rezultat do të jetë një padrejtësi ligjore dhe historike”, tha Mishetiq.
