Mosdekretimi i kryeprokurorit, a ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë?

Më 17 tetor, presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e kryeprokurorit të Shtetit, duke renditur disa shkelje ligjore, për të cilat pretendoi se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, gjë që ndikoi në vendimin e saj

Ani pse kaloi më shumë se një vit që kur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte propozuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të Shtetit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ia dha këtë post Isufajt.

Më 17 tetor, presidentja Osmani kishte njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, ajo renditi disa shkelje ligjore, për të cilat pretendoi se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, gjë që ndikoi në vendimin e saj.

Presidentja kishte thënë se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë, teksa shtoi se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, ishte shprehur Osmani.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Disa nga shkeljet që janë evidentuar nga Presidenca për procedurën e përzgjedhjes së kryeprokurorit janë: shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes propozimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve, shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve.

Pos këtyre, ndër shkeljet ligjore, siç i quajti Osmani, theksohen të jenë edhe shkelja në procedurat e vlerësimit të koncept-dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët, cenimi i parimit të transparencës gjatë procedurave të përzgjedhjes, cenimi i parimit të barazisë përgjatë procedurës së përzgjedhjes së kryeprokurorit, cenimi i parimit të meritokracisë përgjatë procedurave të përzgjedhjes, mungesat në dokumentacionin e dorëzuar nga KPK-ja përkundër kërkesave të Presidencës që ta plotësojë atë.

“Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, pati thënë Osmani.

Reagimi i KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një takim të mbyllur më 17 tetor kishte diskutuar për situatën e krijuar pas mosdekretimit të Isufajt nga presidentja Osmani, arsyetimet e së cilës i quajti  “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e KPK-së.

KPK

 “Shkelje, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”

Juristi, Mentor Beqiri, e ka konsideruar si shkelje të rregullores këtë veprim të presidentes, e cila po refuzon ta emërojë kryeprokurorin e Shtetit.

“Parimisht, është shkelje apo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, veçanërisht, kur nuk ka arsye konkrete se pse dekretimi nuk është duke u ekzekutuar”, thotë shkurtimisht Beqiri për Portalin Dukagjini.

Mentor Beqiri, jurist

Miftaraj: Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci

Drejtori i Institutit të Kosovës të Drejtësisë (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se në këtë rast duhet përgëzuar presidenten Osmani për lidership dhe vendimmarrje të bazuar, sipas tij, në Kushtetutë, ligj dhe praktikën e ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe me integritet.

“Nuk është hera e parë që Këshilli dështon në procese të tilla. Njëjtë kishte vepruar edhe me emërimin e kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Njëjtë kishin reaguar ambasadat e huaja, organizatat joqeveritare, ZBE dhe Komisioni Evropian, duke i kontestuar këto procese dhe duke kritikuar Kosovën për gjendjen në sistemin prokurorial. Sot duhet kërkuar llogari dhe përgjegjësi tek Këshilli Prokurorial pse po dështon vazhdimisht të sigurojë meritokraci dhe integritet në procese të rëndësishme të emërimeve të larta në sistemin prokurorial. Këshilli Prokurorial duhet të zhvillojë një proces të ri, i cili proces duhet të fillojë përmes ndryshimit të Rregullores dhe dokumenteve përcjellëse dhe të sigurojë një proces të pavarur, të drejtë të bazuar në meritokraci dhe me integritet”, ka thënë Miftaraj.

Ehat Miftaraj, Drejtor i IKD-së

Ai thotë se sistemi gjyqësor i Kosovës do të duhej t’i trajtonte me prioritet rastet kur kanë të bëjnë me pozita të rëndësishme në institucione.

“Kushtetuesja do duhej që në rastet kur kemi të bëjmë me emërimet të pozitave të larta siç është kryeprokurori i Shtetit, apo kryetarit të Gjykatës Supreme, atëherë mos të lihet ky proces që të shkojë në gjykata të rregullta juridike, sepse po marrin kohë të gjatë”, ka thënë Ehat Miftaraj për Dukagjinin.

Ndryshe, më tetë prill të vitit të kaluar, Blerim Isufaj, që drejton Prokurorinë Speciale të Kosovës, u zgjodh nga Këshilli Prokurorial për t’u bërë kryeprokuror i Shtetit. Por, komisioni i ankesave gjeti gabime në mënyrën se si u shënuan kandidatët dhe presidentja Osmani ende nuk e ka nënshkruar atë.

Blerim Isufaj, kandidat për Kryeprokuror të Shtetit

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit.

Gjykata Kushtetuese më katër korrik i kishte shpallur të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, të Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Në njoftimin dërguar medieve, Kushtetuesja kishte sqaruar se “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kandidatët që u ankuan në gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, më 28 prill dhe 6 qershor, respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se “vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Ndërkaq, ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të kryeprokurorit të Shtetit.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika