“Mospjesëmarrja e Listës Serbe nuk mund t’i delegjitimojë zgjedhjet në veri”

Përkundër mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet komunale në katër komunat veriore, ato do të mbahen sipas rregullave zgjedhore të parapara me ligjet e Kosovës

Tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në katër komunat veriore, afati i të cilave është caktuar për 23 prill.

Lista Serbe, e cila e gëzon mbështetjen e Serbisë, e kishte rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Përkundër mospjesëmarrjes së Listës Serbe, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka vendosur që afatet të mos shtyhen më dhe zgjedhjet të mbahen në datën e caktuar.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se buxheti i planifikuar për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, është rreth 500 mijë euro.

“Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill, është rreth 500 mijë euro”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, thotë se gjasat për tensione në veri për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve komunale, janë minimale. Ai në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se ndikimi kryesor që mund ta ketë mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje është dalja në numër të vogël të qytetarëve për zgjedhje.

“Unë besoj që pavarësisht ndikimit që do të ketë mospjesmarrja e Listës Serbe, ndikimi kryesor do të jetë i kufizuar me gjasë vetëm me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, duke e ditur që zakonisht lista serbe ka pasur përkrahjen e mbi 95% deri në 99% të votuesve që kanë dalë në zgjedhje në këto komuna”, ka thënë ai.

Sipas tij, një nga arsyet pse nuk priten tensione, është edhe marrëveshja e 18 marsit në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe po ashtu deklaratat e zyrtarëve të BE-së dhe shteteve të QUINT-it të cilët e kanë përkrahur Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Por në ditën e zgjedhjeve mund të ketë edhe probleme. Cakolli thotë se disa nga këto probleme kanë të bëjnë me hapjen e qendrave të votimit, si dhe kontestimi i legjitimtietit të zgjedhjeve për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës

Po ashtu, sipas tij problematike do të jetë mungesa e kandidimit të kandidatëve serbë në disa komuna. Kjo pastaj mund të prodhojë rezultate që ato komuna ta kenë kryetarin shqiptar.

“Problemet kryesore do të kenë të bëjnë me hapjen e qendrave të votimit duke ditur ndikimin që ka lista serbe te institucionet aktuale të nivelit lokal, si dhe fakti që mund të prodhohen institucione dhe kryetar komunash me legjitimitet të kontestuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, por edhe fakti që në disa prej komunave në veri të vendit nuk ka fare kandidat serb dhe potencialisht mund të kemi kryetarë shqiptar të komunave me shumicë serbe, ku komuniteti shqiptar përbën 1 apo 2% të popullsisë aty”, ka thënë Cakolli.

Tutje, ai ka thënë se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet ka qenë me vend, për shkak se nëse ishte vendosur ndryshe atëherë do të krijonte precedentë të rrezikshëm, ku do të krijohej perceptimi se Lista Serbe vendos se kur do të mbahen zgjedhjet e kur jo.

“Në kuptim të mbajtjes së zgjedhjeve, institucionet tona kanë bërë shumë mirë që as nuk e kanë vënë në dyshim organizimin e zgjedhjeve, për shkak se shtyrja e mëtutjeshme e zgjedhjeve do të jepte precedentë jashtëzakonisht të rrezikshëm, sa i përket mundësisë që një subjekt i vetëm të përcaktojë kur mbahen zgjedhjet apo jo, por në anën tjetër do të kishte ndikim edhe në kuadër të mundësimit të një qasje të Serbisë si hisedarë se përcakton se kur mund të mbahen zgjedhjet dhe kur jo”, tha Cakolli.

Lista Serbe

I pyetur se a mund të përsëriten zgjedhjet në rast se numri i pjesëmarrësve votues është i vogël, Cakolli ka thënë se legjislacioni i Kosovës nuk ka prag minimal që do të caktonte ndonjë numër për t’i legjitimuar zgjedhjet.

Ai u shpreh se zgjedhjet mund të përsëriten vetëm nëse nuk del asnjë votues në zgjedhje.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar afati për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 17 prill 2023.

Në njoftimin e KQZ-së thuhet se “dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediave do të përfundojë më 18 prill 2023”.

Bashkimi Evropian ka thënë se ndien keqardhje që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Atëbotë, për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.

“Zgjedhjet janë gurthemeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.

Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur edhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika