Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke shprehur mbështetje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas sulmit ushtarak të ndërmarrë ndaj regjimit të ajatollahëve në Iran.
Në një njoftim zyrtar, MPJD thekson se regjimi iranian për dekada me radhë ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, njofton Dukagjini.
Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, institucionet e Kosovës qëndrojnë krah Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në përpjekjet për të frenuar regjimet që, siç thuhet, kërcënojnë popujt e lirë, minojnë stabilitetin global dhe pengojnë aspiratat legjitime të qytetarëve për liri, dinjitet dhe demokraci.
“Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje. Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur”, thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson se mbetet e vendosur kundër regjimit iranian, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
