Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar raportimin e mbrëmshëm të Dukagjinit duke konfirmuar se ish-polici i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është liruar nga paraburgimi në Serbi.
MPJD-ja nëpërmjet një njoftimi bën të ditur se janë informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi lidhur me lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur në paraburgim për një periudhë të zgjatur, nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë, në vitin 2023, njofton Dukagjini.
Tutje thuhet se MPJD-ja së bashku me institucionet tjera gjegjëse, kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar vazhdimisht që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë teksa shtojnë se akuzat e ngritura nga Spahiut janë të motivuara politikisht dhe të pabaza.
“MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër Spahiut kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë. Lirimi i Spahiut konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Bashkëshortja e ish-policit, ka ndarë pamje nga takimi me Spahiun mbrëmë teksa thotë se ai ka hequr më shumë se çdokush mund ta imagjinojë gjatë kohës së paraburgimit.
“Bashkëshorti im u lirua më në fund… pas kaq shumë netëve pa gjumë, pas gjithë asaj barre që e mbajte i vetëm atje brenda… sot më në fund je në shtëpi. Nuk u dorëzova asnjëherë, sepse e dija që e vërteta jonë do të fitonte. Mirë se erdhe, dashuria ime e jetës. Ke përjetuar shumë, ke hequr më shumë se çdokush mund të imagjinojë… por ja ku jemi sot bashkë, më të fortë se kurrë. Fundi i dhimbjes është fillimi i lumturisë tonë”, ka shkruar bashkëshortja e tij, Jeta Spahiu.
Lirohet nga burgu në Serbi ish-polici kosovar, Arbnor Spahiu
