MPJD: S’ka konfirmim zyrtar për arrestimin e zyrtarit të MPB-së në Serbi

Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dyshohet se është arrestuar në kufi me Serbinë, me dyshime për posedim të rreth 18 kilogramëve të marihuanës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk ka konfirmuar ende arrestimin. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë konfirmim dhe sqarime rreth arrestimit eventual. Vendndodhja e zyrtarit të arrestuar nuk është e njohur deri më tani. MPJD do të informojë publikun sapo të ketë informata të reja

Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Prishtinë.

Gjatë ditës së enjte, në disa media ka pasur raportime se një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës është arrestuar në kufi me Serbinë.

Gjithmonë sipas këtyre raportimeve, atij dyshohet se i janë gjetur rreth 18 kilogramë drogë të tipit marihuanë.

Në një përgjigje për Dukagjinin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për arrestimin e tij.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe as nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin sipas raportimeve, të cilave i referoheni”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë ta konfirmojë arrestimin eventual dhe t’i japë sqarimet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Po ashtu, është kërkuar të dihet edhe vendi apo qendra e paraburgimit ku dyshohet se po mbahet zyrtari i MPB-së.

“Si edhe në rastet e mëhershme, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD ka theksuar se do ta mbajë të informuar publikun sapo të pranojë informata të reja.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika