Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur në takim përfaqësues të Republikës Federale të Gjermanisë, ku u diskutua për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Siç bëhet e ditur nga Ministria, në takim morën pjesë Daniel Alker, shef i zhvillimit në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, si dhe përfaqësues të GIZ-it gjerman, të udhëhequr nga Elizabeth Hoebl dhe Edmond Gashi, njofton Dukagjini.
Gjatë diskutimeve u trajtuan objektivat strategjike të ministrisë dhe politikat zhvillimore në sektorin e bujqësisë, përfshirë iniciativat për modernizimin e këtij sektori dhe përkrahjen e fermerëve.
Muja theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Gjermaninë, duke shkëmbyer ide dhe shqyrtuar mundësitë për projekte të reja që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin ekonomik të zonave rurale në Kosovë.
Sipas tij, bashkëpunimi pritet të fokusohet në sektorë të rëndësishëm të prodhimit bujqësor, veçanërisht në prodhimin e frutave, perimeve dhe hortikulturës, fusha që kanë potencial të madh për zhvillim dhe rritje të konkurrueshmërisë së bujqësisë në vend.
Muja gjithashtu i njoftoi përfaqësuesit gjermanë me zhvillimet dhe arritjet e fundit në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, përfshirë programet zhvillimore dhe projektet që synojnë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e teknologjive dhe forcimin e kapaciteteve të sektorit.
Një ndër prioritetet kryesore, sipas Mujës, mbetet rritja e nivelit të sigurimit të cilësisë së ushqimit në Kosovë teksa kërkoi mbështetje dhe ekspertizë nga Gjermania për avancimin e standardeve dhe mekanizmave që garantojnë produkte ushqimore të sigurta dhe cilësore për qytetarët.
Në fund të takimit, Muja falënderoi shtetin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për kontributin në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.