“Mungesa e Kurtit në Tiranë është e dëmshme për Kosovën”

Mos-pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në takimin jo-formal të thirrur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, ku të pranishëm ishin liderët e rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit, po vlerësohet e dëmshme për perspektivën e Kosovës. Analistë nga Kosova e Shqipëria thonë se ftesa për Kurtin nuk është drekë me Edi Ramën por takim në kuadër të procesit të Berlinit, nismë e cila është përkrahur vazhdimisht nga Qeveria Kurti

“Unë jam i gatshëm të takohem me Kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy Qeverive, jo pa atë mbledhje”, kishte thënë kryeministri albin Kurti më pesë korrik.

Në konakun e tij nuk e priti, ndërsa sot është bërë e ditur se as si mysafir nuk do t’i shkojë në Tiranë.

Në drekën jo-formale kur nikoqir është Edi Rama e i pranishëm bashkë me kryeministrat e rajonit është edhe komisioneri Oliver Varhelyi, Kurti nuk do të jetë i pranishëm.

Kryeministri kosovar mungon në drekën që i paraprinë samitit të procesit të Berlinit për shkak se sipas zëdhënësit e kishte të konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

Megjithatë, qysh tani, Kryeziu ka konfirmuar se Kurti, do të jetë pjesë e Samitit të Tiranës në kuadër të Procesit të Berlinit, e që mbahet më 16 tetor.

Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka thënë Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë.

Është raportuar se Kosovën do të përfaqësojë zëvendësi, Besnik Bislimi, por që është refuzuar për shkak se takimi është në nivel të kryeministrave.

Këshilltari për media, Klisman Kadiu, i ka hedhur posht këto raportime, duke thënë se Bislimi nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, por pa treguar nëse vërtetë është ftuar për drekë nga Edi Rama.

Mungesa e Kurtit në drekën që i paraprinë takimit të 16 tetorit në kuadër të procesit të Berlinit nga analistët politik në Kosovë po vlerësohet e pa-shpjegueshëm dhe e dëmshme për Kosovën.

“Nëse kryeministri Kurti ka qenë vazhdimisht kundër idesë së Open Balkan me të njëjtin zell e ka përkrahur procesin e Berlinit, duke ia veçuar avantazhet e tij kundër Open Balkan. Dakord shumë prej argumenteve që janë thënë nga Qeveria nuk kanë qëndruar sepse janë të njëjtat në të të dyja anët e nismës. Po hajde po themi që qe zoti Kurti paska pasur të drejt. Procesi i Berlinit dhe tregu i përbashkët rajonal qenkan zgjidhja më e mirë për Kosovën. Atëherë pse po e bojkotojmë atë. Nuk e duam Open Ballkanin nuk e duam procesin e Berlinit duam të mbetemi vetëm”, ka thënë Visar Ymeri, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Ymeri thotë se Rama nuk duhet të shihet si armik i Kosovës, pasi që ishte ndër të vetmit përfaqësues që kohëve të fundit kishte sjellje e qëndime konstruktive ndaj Kosovës.

E në Shqipëri po vlerësojnë se pikërisht sjelljet e fundit të Ramës në raport me Kosovën janë arsyet e tensioneve në raport me Kurtin.

“Në këtë lloj minibeteje në thonjza që Kurti ka ndërmarrë ndaj SHBA-së dhe BE-së kohëve të fundit, Rama ka mbajtur anën e amerikanëve dhe evropianëve kundër Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës, gjë që në njëfarë mënyre është parë me një sy të keq nga Qeveria e Kosovës dhe personalisht nga Kurti është parë si diçka personale”, ka thënë Ledion Krisafi – Ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mos-pjesëmarrja e Kurtit sipas Krisafit ishte e pritshme, por është e dëmshme për faktin se nuk është asnjë përfaqësues i Kosovës. Sipas ekspertit të çështjeve ndërkombëtare nga Shqipëria, tensionet në veriun e Kosovës i kanë kushtuar politikisht Ramës për shkak të raporteve që kishte me Aleksandar Vuçiqin.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika