Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës(LDK) se ka përdorur buxhetin e Prishtinës për qëllime elektorale dhe se po e mban kryeqytetin peng për përfitime politike.
Në konferencë për media, Murati deklaroi se Komuna e Prishtinës ka funksionuar me vetëm 1/12 e buxhetit emergjent, ndërsa situata aktuale po përdoret si mjet presioni ndaj Qeverisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin e Prishtinës, duke bërë betejën politike në kurriz të tyre”, tha ai.
Murati kritikoi edhe deklaratat e kryetarit të Komunës së Prishtinës, duke theksuar se retorika ka ndryshuar brenda pak javësh.
“Nuk besoj se kanë kaluar dy javë prej kur nga kryetari i Komunës së Prishtinës dëgjonim se si do të transformohet trafiku urban, ndërsa tani nga transformimi kemi kaluar në ‘bankrotim’. Po shihet qartë se po shtohet kjo propagandë që po bëhet”, u shpreh ministri në detyrë.
Ai shtoi se në mungesë të kauzave politike, situata aktuale po keqpërdoret dhe “po shfrytëzohet në kurriz të qytetarëve duke u mohuar atyre shërbime publike, vetëm e vetëm që të fajësohet qeveria apo Ministria e Financave”.