Në seancën për shqyrtimin Projektbuxhetit 2026-të, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se buxheti është i përkohshëm dhe emergjent.
“Gjatë ditës së djeshme në komision kemi shqyrtuar të gjitha amendamentet dhe ajo që mund të them është ta rikonfirmoj atë që e tha edhe deputeti Besnik Tahiri, sapo e tha dhe e kërkoi të konfirmohet. Siç e kemi thënë edhe në fillim, ky është një buxhet i përkohshëm emergjent dhe për këtë arsye ne si Qeveri nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që i kanë marrë dikasteret e tyre përsipër që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.
Murati kërkon të mos mbështeten amandamentet përpos pesë prej tyre, shkak urgjenca e buxhetit
Në foltoren e Kuvendit, Murati sqaroi edhe zgjatjet sipas ligjit.
“Me zgjatjet që bëhen sipas ligjit në mungesë të buxhetit, ajo është zgjidhje emergjente e përkohshme sa i përket shpenzimeve rrjedhëse. Për sa i përket projekteve dhe inicimit të projekteve të tjera, asnjë projekt nuk mund të iniciohet për prokurim. Këtë mund ta konfirmoni edhe me komunat ku qeverisni ju. Pra, asnjë projekt nuk mund të iniciohet për prokurim për shkak se nuk ka buxhet dhe nuk mund të bëhet zotimi i mjeteve pa e pasur buxhetin në fuqi”, theksoi ai.
Murati kërkoi që mos të mbështeten amandamentet përveç pesë amandamenteve.
“Prandaj edhe kërkoj nga Kuvendi që, përpos këtyre pesë amendamenteve (tre në pjesën tekstuale korrigjime teknike dhe dy në pjesën tabelare për komunat), të mos mbështeten amendamente të tjera, meqenëse kanë implikime financiare, gjë që mund ta komplikojë situatën gjatë rrugës, sepse një pjesë e tyre nuk kanë burime financimi të përcaktuara. Për më tepër, të gjitha ato që janë të vlefshme dhe që i konsiderojmë prioritare, dhe për të cilat në disa raste kemi pasur pajtueshmëri që të mbështeten, besoj se do të gjejnë mbështetje nga ministritë e linjës në momentin kur të sjellim buxhetin e rishikuar me prioritetet e qeverisë të reflektuara në të“, tha ai.
