Murati prezanton në Kuvend projektbuxhetin për 2026: Afro 4 miliardë euro shpenzime

Në seancën e radhës në Kuvendi i Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, paraqiti projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026, duke thënë se dokumenti ishte dorëzuar brenda afatit ligjor, por nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të rrethanave institucionale dhe mungesës së konsensusit politik.

Sipas Muratit, projektligji ishte dorëzuar më 31 tetor të vitit të kaluar, ashtu siç e parasheh ligji, por në mungesë të një Kuvendi funksional dhe më pas të dakordimit politik, ai nuk u miratua para 1 janarit, kur fillon zbatimi i buxhetit.

Si rrjedhojë, vendi funksionoi me zgjatje buxhetore automatike, në përputhje me Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjshmëritë (LMFPP), fillimisht për dy muajt e parë dhe më pas edhe për muajin mars.

“Të gjithë e dimë që ky projektligj, sipas ligjit, parashihej që të miratohej dhe të dorëzohej në Kuvend me datën 31 tetor të vitit të kaluar, gjë që qeveria e asaj kohe në detyrë e kishte bërë. Megjithatë, në mungesë të një Kuvendi funksional, por edhe në mungesë të konsensusit pastaj pas konstituimit të Kuvendit, ky projektligj nuk ishte proceduar dhe nuk ishte miratuar në mënyrë që të ishte në fuqi para datës 1 janar, kur edhe fillon shfrytëzimi i këtij buxheti. Si rezultat i kësaj, kemi pasur zgjatje buxhetore automatike, pra siç parashihet me LMFPP (Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjshmëritë), që është për dy muajt e parë dhe më pastaj, siç e dini edhe ju, është miratuar edhe zgjatja për muajin mars. Sido që të jetë, këto zgjatje mjaftojnë vetëm për shpenzimet rrjedhëse.

Sa i përket prokurimeve të reja, projekteve të reja, është e pamundur të iniciohen procedura pa pasur zotimin e mjeteve. E nëse alokimi është bërë vetëm për 3 të 12-tat e vitit, pra nuk mund të zotohet komplet viti, ta zëmë për ndonjë projekt kapital apo për ndonjë prokurim tjetër sa i përket mallrave dhe shërbimeve, për shërbime esenciale në rast se është nevojë”, ka thënë Murati.

Murati bëri të ditur se qeveria e re ka vendosur ta procedojë projektligjin në formën ekzistuese për të zhbllokuar funksionimin buxhetor, si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal. Ndryshimet për prioritetet e reja dhe strukturën e qeverisë do të trajtohen në një rishikim të mëvonshëm.

“Prandaj, duke e parë këtë situatë, duke qenë të vetëdijshëm edhe për situatën emergjente që na pret sa i përket lëvizjes tutje dhe zhbllokimit të buxhetit, qoftë në nivelin qendror apo edhe për ato komunale, ne i kemi propozuar si Ministri e Financave qeverisë në mbledhjen e parë, pra si qeveri e re, që të procedojmë projektligjin ashtu siç ka qenë. Pra, duke mos reflektuar domosdoshmërisht tash për tash ndryshimet e nevojshme për të gjitha prioritetet, por edhe për strukturën e qeverisë, por që këtë ta bëjmë në një rishikim të mëvonshëm.

Ndërkaq ky projektligj është projektligji i cili është miratuar më 31 tetor të vitit të kaluar ashtu siç e ka paraparë ligji. Tabelat janë të ngjashme. E vetmja gjë që ndryshon ka të bëjë me pagën e 13-të, që është paraparë që jo në fund të vitit por të bëhet në fillim të vitit. Ndërkaq çështja tjetër që është paraparë ka të bëjë edhe me ndryshimin apo mundësinë e ndryshimit të tabelave në ligj sa i përket dikastereve në momentin kur qeveria e miraton rregulloren e qeverisë dhe bëhet definimi apo përcaktimi i ndarjes së detyrave dhe fushëveprimit të secilit prej dikastereve apo ministrive. Dhe kjo punë është lënë që të bëhet më pastaj përmes nenit 11, paragrafi 5 konkretisht”, theksoi ai.

Ai theksoi se dokumenti i paraqitur është ai i miratuar më 31 tetor, me tabela të njëjta, përveç disa ndryshimeve: paga e 13-të parashihet të ekzekutohet në fillim të vitit dhe jo në fund, ndërsa është lënë hapësirë ligjore për ndryshime në tabelat buxhetore të dikastereve pas miratimit të rregullores së re të qeverisë, në përputhje me nenin 11, paragrafi 5.

Sipas ministrit, kufiri i përgjithshëm i shpenzimeve për vitin 2026 arrin në rreth 3 miliardë e 967 milionë euro.

Ndarja e shpenzimeve është si vijon:

  • Paga dhe shtesa: 980 milionë euro

  • Mallra dhe shërbime: 545 milionë euro

  • Subvencione dhe transfere: 1 miliard e 358 milionë euro

  • Shpenzime kapitale: 998.4 milionë euro (897 milionë nga buxheti i rregullt dhe 100 milionë nga klauzola e investimeve)

Të hyrat buxhetore totale parashihen të jenë 3.64 miliardë euro:

  • Të hyrat tatimore: 3.26 miliardë euro

  • Të hyrat jo tatimore: 357 milionë euro

Deficiti i mbetur pritet të financohet përmes huamarrjes ose granteve nga donatorët.

“Përveç këtyre, është paraparë që: Paga e 13-të të shtohet këtu, Përvoja e punës, që me ligjin e pagave për 15 vitet e para ishte 0.25% për vit, të kthehet në 0.5% në vit për të gjitha vitet. Shtyrja e hyrjes në fuqi të normës progresive për tatimin në pronë, në mënyrë që këtë vit të kemi një ligj të ri në konsultim me komunat, duke qenë se këto të hyra u shkojnë atyre”, ka shtuar Murati.

Shija e redaktorit

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Të fundit nga rubrika